A duhet të kompenzohet namazi dhe agjërimi pas menstruacioneve?

Pyetje: Esselamualejkum we rahmetullahi we berekatuhu. Hoxhe i nderuar nese mund te me pergjigjeni ne pyetjen time do te isha shume e kenaqur. E di qe femrat nuk ben te agjerojne, falin namaz apo lexojne Kur’an gjate ciklit menstrual. Por gjate kohes kur je me menstruacione dhe nuk ben te falish namaz, a duhet qe pas periudhes menstruale t’i zevendesojme ato namaze?

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Gjatë kohës së menstruacioneve, muslimanja nuk ka të drejtë të falet apo të agjërojë. Ndërsa pas pastrimit nga menstruacionet, duhet të kompenzojë agjërimin dhe nuk duhet të kompenzojë namazin. Thotë Aisheja (radjiallahu anha): “Jemi urdhëruar që ta kompenzojmë agjërimin dhe nuk jemi urdhëruar që ta kompenzojmë namazin”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Kështuqë, namazet të cilat nuk i falë gjatë kësaj periudhe, nuk kanë nevojë të kompenzohen fare, ndërsa ditët e mbetura pa i agjëruar gjatë Ramazanit për shkak të menstruacioneve, duhet të kompenzohen për çdo ditë nga një ditë pas Ramazanit.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

About admin