A e ndryshon duaja (lutja) vendimin e Zotit?

A e ndryshon duaja (lutja) vendimin e Zotit?

Pyetja:
Selam alejkum! Desha të di se a e ndryshon duaja (lutja) vendimin e Zotit? P.sh. Nëse je e shëmtuar, me anë të duasë. Nëse do Zoti, a bëhesh e bukur?

Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut. Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Problemi që ju preokupon nuk është një caktim apo vendim i pandryshueshëm në përgjithësi. Fizionomia e njeriut vazhdimisht ndryshon; sa e sa raste kemi kur njeriu në fëmijëri ka pasur tjetër pamje dhe më vonë ka ndryshuar, është bërë më i bukur ose anasjelltas. Kështu që bërja e lutjes për një gjë të tillë nuk është e ndaluar dhe është e mundur të bëhet kjo formë e duasë.

Por, siç mund të kuptojmë nga pyetja juaj. Duket se jeni shumë e preokupuar me dukjen tuaj, gjë që ju bën të mërziteni. Vërtet është e kuptueshme kjo brengë e juaja. Posaçërisht nëse do të supozonim se jeni në moshën e adoleshencës. Sido që të jetë, psikologët theksojnë se preokupimi i të rinjve në përgjithësi me pamjen e tyre. Posaçërisht te vajzat, është një përditshmëri. Madje në këtë periudhë të jetës, edhe asaj vajze që do të ishte më e bukura. Në mesin e shoqeve të saja patjetër ndodh nganjëherë të mos i pëlqejë dukja e saj dhe të qëndrojë me orë të tëra para pasqyrës duke shikuar veten.
Pa u zgjeruar ju këshillojmë që të mos humbni kohë me këto preokupime. Vërtet bukuria dhe pamja tërheqëse është një karakteristikë e jashtme që e dëshiron pothuajse çdonjëri. Por në esencë nuk është ndonjë cilësi prej së cilës do të përfitonte shumë prej saj vetë njeriu. Me fjalë të tjera, ekzistojnë me dhjetëra cilësi të tjera të cilat janë më të lavdëruara, më të mira, më të dobishme dhe është më e mundshme që njeriu të karakterizohet prej tyre. Prandaj njeriu i cili ia do të mirën vetes duhet të kujdeset për këto veçori, të kujdeset të tentojë ta zbukurojë personalitetin e tij me këto cilësi të larta. Lexo se çfarë thotë i Dërguari. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Vërtet Allahu i Lartësuar nuk shikon fizionominë tuaj e as trupin tuaj, por shikon zemrat tuaja dhe veprat.” Shënon Muslimi dhe të tjerë.

Pastaj ju e dini gjithashtu se bukuria është diçka kalimtare dhe nuk është e përhershme. Në fund. Theksojmë edhe një herë që të mos brengoseni me këtë dhe mundohuni të jeni e afërt dhe e dashur te njerëzit me sjellje të mira, bujari, personalitet fisnik, mendjemprehtësi, etj.. Këto janë më të fuqishme dhe më thelbësore në futjen e dashurisë dhe në krijimin e raporteve më të gjata dhe të frytshme. Kurse bukuria në shikim të parë mund të duket primare. Por ndërtimi i raporteve duke u mbështetur tek ajo në shumicën e rasteve është e dështuar.

Hoxhë Alaudin Abazi

administrator

Related Articles