BUZËQESH

BUZËQESH

Tha: Qielli është nxirë! E u mrrol në fytyrë.
I thashë: Buzëqesh ti, mjafton vrazhdësia në qiell, bëhu ti i ç’lirë.
Tha: Rinia më kaloi, më hodhi si mbeturinë te kroi.
I thashë: Buzëqesh, dhimbjet e rinisë që mban në tru copëtoji, se në këtë jetë askush përgjithmonë s’qëndroi.
Tha: Ajo që më ishte më e shtrenjta në dashurinë time, e helmoi shpirtin tim, e më la të djegur në përkujtime. I theu të gjitha premtimet dhe pasi zemra ma përvetësoi, shpirti më është vrarë, shpresat më janë fshirë, fytyra buzëqeshjeve iu tha lamtumirë, e si mund të qesh kur vdekjen e shpirtit ma la peshqesh?!
I thashë: Buzëqesh, ngrihu sypatrembur, trego se jeton dhe ende nuk ke vdekur. Përballoje flakën e tradhtarëve, mos lejo një këmbë fytyrën të ta prekë.
Tha: Tregtia s’më ecën, dita-ditës më humbet e në hiç më tretet. Njëlloj si i ngrati në shkretëtirë, s’gjen një pikë ujë për të pirë, i shtrirë në pluhur i vdekur mbetet.
I thashë: Buzëqesh, se ti s’i ke barërat dhe shërimin e saj në dorë. E ndoshta buzëqeshja jote te shumë të tjerë hidhërimet i korr. Tjetër kush qe kriminel, ai fajtor le të ngelë, me veprat e tyre mos u zemëro, e shpirtra njerëzish ende s’ke vrarë!
Tha: Si të gëzohem kur armiqtë rreth meje me zëra ujqërish më trishtojnë?! Kur çerdhen time me zogjtë e mi, ma rrethojnë!
I thashë: Gëzohu dhe krenohu, nuk do të ta kishin shkelur ujqërit oborrin, po të mos kishë famën e njerëzisë. Ti je njeri që akullin ke thyer, për këtë të vërsulen e të vijnë me të rrëmbyer!
Tha: Festave ju doli lajmi se, para pragjeve janë, mua sikur më thonë ‘Rrobat e reja dhe lodrat fëmijët ku i kanë?!’ Për këtë obligim të pandarë ndaj të dashurve që kam, syri e zemra pareshtur më qan. Kur dora nuk më arrin, e xhepat e shqyera të holla nuk mbajnë!
I thashë: Buzëqesh, mjafton ti që në mesin e tyre je i gjallë, nuk je i vdekur e i ndarë, që të lajnë festën me lotin e syve e përsëri mos me të parë!
Tha: Netët e mia më dhanë ujin e hidhur, nga vuajtjet të shtrydhur.
I thashë: Buzëqesh, nga ky ujë që pive mos rri duke u dridhur. Ndoshta të tjerët kur t’ju shohin të qeshur do ju bashkëngjiten, vuajtjet anash duke i hedhur. Vallë, a thua të pasuron hidhërimi, apo ta humb pasurinë gëzimi?!
Shoku im i dashur, buzët e tua nëse qeshin nuk kanë për të plasur, dhe asnjë fytyrë nga të qeshurit para kohe s’është plakur! Buzëqesh si shkëndijë e zjarrtë, që lundron dhe vallëzon në qiellin e mjegulluar.
Tha: Buzëqeshja asnjeri në këtë botë s’e përgëzon, përderisa deshi apo s’deshi ai ne këtë dunja vjen, dhe ashtu ngadalë dikur shkon.
I thashë: Buzëqesh, përderisa je gjallë dhe ende s’ke vdekur se pasi të mbulohesh me dhe kurrë s’ke për të qeshur!

administrator

Related Articles