E PYETA FENË TIME

E PYETA FENË TIME

E pyeta fenë time:

– Si është puna ime, në çfarë gjendje jam?

Feja ime më tha mua:

* Përdor mendjen dhe fito besimin. Kundërshtar dhe armik i yti nuk është tjetri; janë mosdija, mosshkollimi, mospuna, ligësia, shpirtngushtësia, urrejtja, lakmia, por edhe varfëria, këta janë kundërshtarët dhe armiqtë tuaj.

– Por si t’i mundë këta kundërshtarë o feja ime?

* Për t’i mundur këta kundërshtarë, ty pas besimit që ke të duhet leximi, lapsi, dija, shkollimi, kualifikimi, kontributi, solidariteti, butësia me njerëzit, zemërgjerësia, mirëkuptimi.

– E pastaj, çfarë do të arrij pastaj o feja ime?

* Këto të bëjnë t’i afrohesh Allahut, t’i besosh Atij dhe t’a duash Atë. – Të besosh në Krijuesin tënd, t’a duash Atë dhe t’i shërbesh Atij, kjo është gjendja kur njeriu ngritet nga banalja në sublimen. Besimi e hapë derën e përsosjes shpirtërore, dhe kështu njeriu e kupton vendin e tij në Univers.

– O feja ime, ti herë po më flet për besimin e herë për dijen, prandaj nuk po di cilës t’i rrekem më shumë?

* Ç’mendon ti, si do të dukej njëra pa tjetrën? Si do të afroheshe tek Allahu pa dije? Rrugën e Tij nuk e gjen kush përveç atyre që përdorin mendjen. E mendja, ajo vetëm ty të është dhënë o njeri. A s’të thash më lart, lexo, mëso, studio. Kujto fjalën e parë të ajetit të parë të zbritur në Kur’an, pra përkujtoje fillimin e Kur’anit, dhe dije se nga aty fillon edhe besimi yt.

– Më trego më shumë, të lutem.

* Mos harro, një musliman që nuk ka dije të mjaftueshme është sikur ai që ecën në errësirë duke mos patur dritë për orientim, pa dritë njeriu nuk e gjen rrugën e tij dhe shpejt ndeshet në të papritura. A nuk është kështu?

– Po, gjithsesi.

* Pra, lexo dhe mëso kush është Allahu, kush është Krijuesi i qiejve dhe i tokës, kush është Krijuesi yt, cili është Libri Hyjnor i fundit, cilët janë të Dërguarit e Tij, kush është i Dërguari i Tij i fundit; mëso Rrugën e Drejtë, Rrugën e Shpëtimit. Por, mos u mjafto me kaq. Kërko dijen, kërkoje atë nëpër libra, kërkoje dhe merre kudo që e gjen. Mos ndalo tek dija që thirret vetëm në mua. Nëse mendon se më ke gjetur me aq, ke gabuar sepse nuk më ke gjetur të tërën, unë jam kudo nëse je që më sheh. Mua më gjen tek natyra, në mjekësi, unë jam edhe tek vetja jote, tek marrëdhëniet tua me familjen, shoqërinë, popullin tënd, përparimin e tij, njerëzimin në përgjithësi. Nëse e dëgjon këshillën time, gjendja jote do të jetë si është më mirë, pastaj ti do t’i duash të tjerët dhe të tjerët do të duan ty. Do të jetosh në paqe me tërë botën dhe bota do të jetojë në paqe me ty.

* E kuptove tani gjendjen tënde?

– Të dua o feja ime, të dua, sepse kur jam mirë me ty jam mirë me tërë botën.

administrator

Related Articles