Parlamenti Evropian kërkon raportim nga Zuckerberg për skandalin e Facebook-ut

Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani kërkoi sot që drejtuesi i Facebook, Mark Zuckerberg të vijë personalisht për të dhënë sqarime para eurodeputetëve në lidhje me përdorimin e të dhënave personale të miliona përdoruesve.

”Të gjitha grupet politike këmbëngulin në domosdoshmërinë absolute të pranisë suaj personale, siç ishte rasti përpara Kongresit të SHBA-së”, shkruan Antonio Tajani në një letër drejtuar Mark Zuckerberg.

Tajani, që prej datës 20 mars dhe shpërthimit të skandalit ”Cambridge Analytica”, emri i shoqërisë që ka shfrytëzuar pa dijeninë e tyre të dhënat e mijëra përdoruesve të “Facebook”, ftoi drejtorin e përgjithshëm të “Facebook” për të qenë i pranishëm për dhënien e sqarimeve para përfaqësuesve të 500 milionë shtetasve të BE-së.

Por Mark Zuckerberg, i cili dëshmoi për gati dhjetë orë përpara deputetëve amerikanë javën e kaluar, propozoi se do të jetë zëvendëspresidenti i ngarkuar për çështjet publike të grupit kalifornian, Joel Kaplan, i cili do të paraqitet përpara eurodeputetëve.

”Jemi të bindur se mijëra evropianë të prekur nga skandali ‘Cambridge Analytica’ meritojnë një sqarim të plotë dhe të thelluar nga ana e drejtuesit kryesor të Facebook, saktësisht siç ishte rasti për qytetarët amerikanë”, shprehet Tajani.

About admin